Tirana afër Prekazit, çelet ekspozita “Për të mos harruar”

Nga admin https://www.kapsit.com

Tiranë- Për të mos harruar, një komb duhet të përtërijë kujtesën e tij. Me rastin e 14-vjetorit të rënies heroike të komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, Tirana iu bashkua Kosovës, në ditën e zgjimit të ndërgjegjes kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Genocidi dy shekullor serb do të përkujtohet përgjatë dy javëve në Muzeun Historik Kombëtar, përmes ekspozitës “Për të mos harruar!” me filmime, dokumenta dhe fotografi të panjohura më parë, çelur nga Bashkia e Tiranës.  
“Nuk do të harrojmë të shkuarën tone, mbi të cilën po ndërtojmë të ardhmen”, u shpreh Kryebashkiaku Lulzim Basha, në çelje e ekspozitës, e cila, sipas tij, “është një kontribut modest i Tiranës për të përkujtuar një nga pjesët më të vështira të historisë tonë”.
Basha theksoi se ndërsa po ndërtojmë të ardhmen si një komb i lirë, sot nderojmë çdo burrë, grua dhe fëmijë që u masakrua dhe humbi jetën përgjatë dy shekujve të genocidit serb në Kosovë.
Kryebashkiaku Basha tha se “Tirana është afër Prekazit, Reçakut, Krushës së Madhe dhe të Vogël, Pejës, Mitrovicës, Gjakovës, Prishtinës, e qyteteve, trojeve anembanë Kosovës, për të përkujtuar 5 marsin 1998, ditë që shënoi kthesën e madhe në historinë shekullore të përpjekjeve të Kosovës për liri. 14 vjet më parë Prekazi dhe familja Jashari, jo për herë të parë, u vu në shënjestër të makinerisë vrasëse të shovinistëve serb. Për tre ditë burra dhe gra të familjes Jashari i dëshmuan botës vendosmërinë e shqiptarëve për liri”.
Bilanci i këtyre ditëve ishte i dhimbshëm. 56 pjesëtarë të familjes Jashari u vranë dhe u masakruan. Sakrifica e Jasharëve vlerësohet si një nga pikat më sublime të historisë së shqiptarëve, e cila tregon se sa vlen liria për kombin tonë.
Në këtë ditë, përfaqësuesi i familjes së Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Murat Jashari, theksoi nevojën e dokumentimit të historisë tonë të dhimbshme, që nga 1833 deri në ditët e sotme.
Historia, sipas tij, “na sjell edhe anën tjetër të medaljes: krenarinë e të parëve, krenarinë tonë. Urojmë që ne ta shfrytëzojmë lirinë për të ndërtuar vendin tonë, sepse robëritë që kanë kaluar në tokat tona kanë lënë gjurmë të hidhura. Shqiptarët sot po frymojnë më lirshëm se kurdo herë. Të bashkojmë veprimet tona që e ardhmja të jetë më e mirë, duke nderuar të kaluarën dhe ndërtuar të ardhmen”.
Në vitin 1999 e gjithë bota u bë dëshmitare e masakrave, skenave të tmerrshme të vrasjeve dhe dëbimeve të shqiptarëve të Kosovës, nga forcat e Sllobodan Millosheviçit. Këto pamje të spastrimit etnik, të shfaqura në të gjitha mediat botërore, nuk kryheshin për herë të parë në Kosovë.
Të dhënat historike dëshmojnë për masakra, shpronësime, shpërngulje me dhunë të kryera mbi shqiptarët dhe për kolonizim të viseve të tyre me elementë serbë, për një politikë permanente spastrimi etnik të organizuar në vitet 1878, 1912-1915, 1918-1941, 1945-1966, 1981-1999.
Çështja e kësaj treve shqiptare lindi në vitin 1913 për shkak të vendimeve të Fuqive të Mëdha, të marra në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Këto vendime që u morën në interes të paqes europiane, nuk e përmbushën qëllimin.
Por Kosova, edhe pse ka qenë disa herë nën sundimin serb, përfshi edhe periudhën pas vitit 1913, mbeti gjithnjë një tokë shqiptare (shqiptarët ishin aty në vitin 1389, kur zhvillohej Beteja e famshme e Kosovës, ishin përsëri aty gjatë luftrave austro-turke të fundshekullit XVII dhe fillimshekullit XVIII, ishin gjithnjë aty më 1878, 1912, 1945 dhe 1999).   
Për përmasat e masakrave serbe ka shkruar shtypi shqiptar dhe i huaj. Leon Freundlich i ka përmbledhur në një libër me titull Albaniens Golgotha 1913 “Golgota Shqiptare 1913″. Një vit pas informacioneve të tmerrshme të përpiluara nga Leo Freundlich, “Raporti zyrtar drejtuar Fuqive të Mëdha” i botuar në dhjetor 1913, shpalos detalisht masakrat serbe të kryera në Dibër dhe në Lumë, edhe pas “amnistisë” së proklamuar nga Beogradi. Ky raport është botuar edhe në gazetën e përditshme “Corriere delle Puglie”, Bari, XXVI, 354, të datës 21 dhjetor 1913. Të njejtat dëshmi, nën titullin “Barbarizmat serbe”, janë publikuar edhe nga atdhetari Sotir Koleja, të cilat më pastaj janë botuar edhe në gazetat shqiptare: “Kalendari Kombiar, Sofje 1914, dhe “Lirija e Shqipnisë” Nr. 94, datë 8-21 maj 1914, etj. (LajmeShqip.com)
Duhet të jeni të kyçur për ta dërguar këtë mesazh tek miqt. Nuk keni llogari ende ? bashkohuni me ne tani , dhe sigurisht është falas!
Duhet të jeni të kyçur për ta dërguar këtë mesazh tek grupi. Nuk keni llogari ende ? Bashkohuni me ne tani , dhe sigurisht është falas!

Login Në My Site

Nuk keni llogari ende? Bashkohuni me ne, është falas!